Pushteti vendor i varur nga ndërtimi, rënia e lejeve godet të ardhurat e 9-mujorit
Pushteti vendor ndjen goditjen e ngadalësimit të ndërtimit, me të ardhurat që bien ndjeshëm në 9-mujorin e vitit 2025.
Sipas Ministrisë së Financave, njësitë e vetëqeverisjes vendore kanë arkëtuar 28.8 miliardë lekë të ardhura tatimore deri në shtator, rreth 7% më pak se një vit më parë, duke reflektuar varësinë e lartë të bashkive nga sektori i ndërtimit.
Për gjithë vitin 2025 janë planifikuar 40.8 miliardë lekë të ardhura vendore, ndërsa deri në fund të 9-mujorit është realizuar 71% e planit. Taksat lokale përbëjnë 77.4% të totalit të të ardhurave tatimore, por ndërkohë “taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja” ka pësuar një rënie të ndjeshme prej 3.5 miliardë lekësh në nivel kombëtar.
Tirana, më e goditura nga rënia e lejeve të ndërtimit
Bashkia e Tiranës ka regjistruar uljen më të madhe, me 6.2 miliardë lekë më pak të ardhura nga taksa e ndikimit në infrastrukturë krahasuar me 9-mujorin e vitit 2024. Kjo shumë përfaqëson rreth 30.3% të të ardhurave të veta në buxhetin e këtij viti, duke e bërë kryeqytetin më të ekspozuar ndaj ciklit të ndërtimit. Megjithatë, zërat e tjerë të taksave lokale kanë shënuar rritje të lehtë, ndërsa taksa mbi pasurinë është realizuar në 75% të planit vjetor.
Varësia e bashkive nga ndërtimi
Gjatë vitit 2024, taksa e ndikimit mbi infrastrukturë zinte rreth 42% të të ardhurave të veta vendore, me një total prej 18.5 miliardë lekësh. Pothuajse 77.4% e këtyre të ardhurave janë mbledhur vetëm nga Bashkia e Tiranës, duke treguar pabarazi të madhe fiskale ndërmjet bashkive.
Ekspertët paralajmërojnë se ngadalësimi i ndërtimit po shfaqet si rrezik fiskal për qëndrueshmërinë e financave vendore, pasi shumë bashki mbështeten te ky burim për të ruajtur ekuilibrin buxhetor. Pa burime alternative, çdo luhatje në sektorin e ndërtimit mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta në shërbimet publike.
Kërkohet diversifikim i burimeve vendore
Analiza e të dhënave tregon se autonomia fiskale e pushtetit vendor mbetet e kufizuar. Qëndrueshmëria afatgjatë e financave vendore kërkon krijimin e burimeve të qëndrueshme si taksa mbi pasurinë, tarifat e shërbimeve dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik lokal.
Ekspertët theksojnë se çdo ngadalësim në ndërtim do të ndikojë negativisht jo vetëm në rritjen ekonomike dhe punësim, por veçanërisht në të ardhurat e bashkive të varura nga ky sektor, sidomos në Tiranë dhe zonat bregdetare ku aktiviteti ndërtimor është më intensiv.